Fondacioni Për Të Drejtat E Kafshëve Në Kosove

Siç e dini, në prill të këtij viti, ka filluar projekti shtetëror i menaxhimit të qenve endacakë përmes metodës KSVL, dhe organizata jonë është autorizuar për të monitoruar punën në këtë projekt.

Deri më tani, kemi realizuar më shumë se 50 vizita tek qendrat e trajtimit të subjekteve veterinare të kontraktuara në këtë projekt. Detajet e të cilave do të raportohen gjithsesi më vonë – për punët e mira dhe të këqija të subjekteve të kontraktuara.

Sot, në vizita tek subjektet veterinare në dy lokacione, në Mitrovicë (A.V. Veterinaria – DMV Avni Kadriu) dhe Ferizaj (A.V. “Goni” – DMV Agron Pajaziti), anëtarë të organizatës nuk janë lejuar të hyjnë brenda dhe të shohin gjendjen e qenve në këto qendra. Me arsyetimin se kinse veterinerët janë të zënë edhe me punë tjera, dhe se nuk mund të qëndrojnë as ata as stafi i tyre gjatë tërë kohës në qendër.

Nëse ndonjë subjekt veterinar nuk mund të përkushtohet 100% në këtë projekt dhe të kujdeset për qentë në qendër të vet, duhet të tërhiqet nga projekti. Ky projekt nuk është vetëm një mundësi për të marrë të hyra më shumë duke bërë punë gjysmake.

Ne e kuptojmë plotësisht kur veterinerët janë duke operuar dhe nuk dëshirojmë në asnjë mënyrë t’i pengojmë – por nga paniku i tyre për të mos na lejuar ta vizitojmë qendrën vetëm në prezencë të ndonjë punëtori të qendrës, diçka nuk është në rregull.

Këto arsyetime, si dhe tentimet për të caktuar orare se kur mund t’i vizitojmë, vetëm i vërtetojnë dyshimet tona që disa veterinerë janë duke u treguar neglizhentë në punën e tyre në këtë projekt. Ne e dimë mirë pse i pengojmë aq shumë veterinerëve – sepse shpesh në vizitat tona pa paralajmërim, i kemi gjetur në situata jo shumë të mira profesionale (dorëza jo sterile, qepje të këqija, vende të pa pastëra, plagë me defekte dhe të enjtura, mungesë e ujit të pastër dhe shpesh ushqim të zhytur në fekale, zënje të pa monitoruar, lëshime të çrregullta me plagë abuzive (DVM Adelina Rexhepi B.I., e cila për momentin e ka punën e pezulluar).

Edhe nëse veterinerët nuk janë gjatë tërë kohës në qendër, gjithsesi duhet të jetë dikush nga stafi i qendrës për të përcjellë gjendjen e qenve, sidomos atyre që janë operuar rishtazi, si dhe të përkujdeset që qentë të kenë ujë dhe ushqim të mjaftueshëm. Pastaj, përse qenka kaq e ndalueshme që t’ua bëjmë një vizitë qenve, qoftë ajo edhe 5 minuta?

Ne nuk do të qëndrojmë duarkryq ndaj këtyre tentimeve të ulta për mostransparencë dhe do të përdorim të gjitha mjetet ligjore që kjo të mos ndodhë.

AUVK është e njoftuar për këto tentime nga disa subjekte veterinere, dhe ne po presim vendimin zyrtar të tyre në lidhje me këto tentime. 

Ne kemi qenë në vizita dhe në shumë nga to kemi parë punë të mirë dhe profesionale, por nuk duhet harruar se ky projekt deri më tani, ende nuk është plotësisht transparent. Nuk e dimë se ku lirohen qentë, zënja e qenve bëhët në mënyra dyshuese dhe duke mos pasur ende qasje në listat raportuese të veterinerëve (që dërgohen nga veterinerët tek Nol Kabashi i AUVK-ës, Shef i Sektorit të mirëqenies së kafshëve) nuk e kemi të konfirmuar qëndrimin e tyre të saktë dhe të mirëfilltë.