Fondacioni Për Të Drejtat E Kafshëve Në Kosove

Organizata jonë u bën thirrje mediave për mobilizim dhe bashkëpunim me qëllim të përmirësimit të situatës me qentë në rrugë.

Është jashtëzakonisht dëshpëruese që sa vite që nga hyrja në fuqi e Udhëzimit Administrativ (MBPZHR) 04/2017 që rregullon trajtimin e qenve endacak me metodën KSVL, mediat e Kosovës asnjëherë nuk kanë ndërmarrë hapa konkret që ta informojnë publikun për mënyrën se si duhet të sillen me kafshët apo në këtë rast me kafshët endacake dhe po këto të njëjtat vazhdimisht ankohen dhe lypin që qentë në rrugë të zhduken si me shkop magjik.

Mediat vendore, asnjëherë nuk kanë hulumtuar apo studiuar metodat e qëndrueshme dhe efektive të zgjidhjes së problemit me qentë endacak dhe asnjëherë nuk i janë drejtuar institucioneve me kërkesa të qarta për këtë problem. Institucionet e vendit vetëm në 2 vite e fundit janë duke u angazhuar që kjo çështje të ngritet në nivel institucional dhe më parë, as nuk e kanë trajtuar këtë çështje me seriozitetin që i ka takuar.

Të vriten kafshët e rrugës, as nuk bëhet fjalë dhe vetëm një shoqëri e pa informuar dhe me mungesë tolerance, largëpamësi dhe dhembshuri ndaj kafshëve mund ta mendojë një gjë të tillë.

Përveç mungesës së empatisë dhe mungesës të të kuptuarit e situatës, vlen të thuhet që kushdo që mendon që me vrasje e zgjidhë problemin, nuk i ka bërë llogaritjet mirë sepse vrasja sistematike e kafshëve të rrugës nuk ka pasur (edhe në vendet e tjera të botës) asnjë efekt pozitiv në zgjidhjen e problemi të qenve endacak.

Momentalisht, strehimi i kafshëve endacak nuk do këtë efektin e dëshiruar ngaqe Kosova nuk do ta ketë buxhetin as afër të mjaftueshëm për t’i strehuar mijëra qen në strehimore dhe si rezultat i mungesës së strehimit për të gjithë qentë, shumë qen do të mbesin vazhdimisht në rrugë.

Pa ndryshuar sjellja njerëzore në shoqëri, situata e qenve në rrugë do të mbetet e njëjtë.

Falë punës tonë të palodhshme, strukturat shetërore janë duke themeluar një bazë të një sistemi serioz dhe institucional të menaxhimit të popullsisë së qenve me dhe pa pronar (do të thotë qentë braktisen dhe shumohen në rrugë). Sistemi i menaxhimit të popullsisë së qenve nis nga regjistrimi i qenve me pronar për të parandaluar njërin nga burimet e problemi siç është BRAKTISJA. Në Kosovë, burimi i problemit asnjëherë nuk është trajtuar, andaj edhe vazhdimisht kemi numër të madh të qenve në rrugë.

Burimet kryesore të numrit të madh të qenve në rrugë janë: BRAKTISJA e vazhdueshme e qenve të shtëpisë (si kafshë shoqëruese) nga njerëzit dhe mbarështimi (kultivimi), shitja dhe importi i qenve në mënyrë të pa kontrolluar nga njerëz fizik dhe juridik (përfshirë edhe veterinerë).

Duke i rregulluar aspektet e latpërmendura (të cilat duhet shoqërohen me fushata aktive vetdijësuese), numri i qenve në rrugë zvogëlohet dukshëm dhe menaxhimi i një numri më të vogël të qenve në rrugë do të jetë më i lehtë, qoftë me anë të strehimit apo formave të tjera humane dhe të qëndrueshme.

Në bazë të Organizatës Botërore për Shëndetin e Kafshëve, ku edhe Kosova bën pjesë si anëtare vëzhguese dhe për të cilën ka garantuar zbatim për t’i harmonizuar politikat dhe legjislacionin me ato të BE-së në fushën e mirëqenies dhe shëndetit të kafshëve, vrasja është e ndaluar kurse oganizata e njëjtë jep udhëzime për trajtime të qëndrueshme dhe humane të qenve endacak pasi që këto trajtime janë konsideruar si efektive.

Legjislacioni në fuqi parasheh masa edhe për qentë me sjellje të papërmirësueshme që shkaktojnë rrezik për komunitetin, por ndryshimi i vërtetë bëhet vetëm nëse ne si shoqëri ndryshojmë sjelljet tona ndaj qenve.

Andaj, me këtë shkresë i bëjmë thirrje mediave që të jenë pjesë e vetdijësimit të shoqërisë në mbajtje të përgjegjshme të kafshëve që i kemi në shtëpi dhe të mos i mbarështojme dhe i braktisim ato dhe të si të sillemi me qentë e rrugës në mënyrë që ata të mos bëhen agresiv përderisa jetojnë në rrugë me neve.