Fondacioni Për Të Drejtat E Kafshëve Në Kosove

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në kuadër të Planit Legjislativ për 2024, ka përfshirë edhe Udhëzimin Administrativ (UA) për kushtet teknike që duhet plotësuar nga mbarështuesit e kafshëve shoqëruese për mbarështim dhe shitje, i cili sipas planit duhet të aprovohet apo të dorëzohet për shqyrtim deri më 31 Mars 2024.

E falenderojmë MBPZHR që e ka përfshirë aprovimin e këtij UA në planin legjislativ për këtë vit, pasi që është një nga hapat më të rëndësishëm për krijimin e bazës ligjore për kontrollin e mbarështimit dhe shitjes së kafshëve shoqëruese, e sidomos qenve, pasi që mbarështimi dhe shitja e pakontrolluar mbesin burimi kryesor i rritjes së numrit të qenve të braktisur në rrugë.

Në vitin 2021, organizata jonë ka qenë pjesë e grupit punues për draftimin e një versioni të këtij UA, bashkë me AUV-në. Ky UA është i përfshirë edhe në Planin e Veprimit të Strategjisë Kombëtare për Menaxhimin dhe Kontrollin e Qenve me dhe pa Pronar.

Megjithatë, nuk jemi aspak të kënaqur që MBPZHR edhe pas shumë kërkesave, nuk e ka përfshirë në planin legjislativ edhe UA për mbajtje të përgjegjshme të kafshëve shoqëruese, për të rregulluar kushtet e mbajtjes së këtyre kafshëve nëpër shtëpi. Draftimi i këtij UA parashihet edhe me Ligjin për Përkujdesje ndaj Kafshëve dhe Strategji Kombëtare.

Kontrolli i mbarështimit dhe shitjes dhe kontrolli i qenve me pronar mbesin masa thelbësore për menaxhimin e popullsisë së qenve, e në veçanti për parandalimin e braktisjes së qenve në rrugë.

I bëjmë thirrje MBPZHR që të tregohet fleksibile dhe ta përfshijë në planin legjislativ për këtë vit edhe UA për mbajtje të përgjegjshme të kafshëve shoqëruese, për të cilin organizata jonë është e gatshme të mbështesë institucionet për draftimin e këtij UA.