Fondacioni Për Të Drejtat E Kafshëve Në Kosove

Nga: Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve dhe Të Bashkuar për Kafshët

Subjekti: Vërejte dhe kërkesa monitoruese të mirëfillta të gjuetarëve të Kosovës nga ana e shoqatave dhe institucioneve publike apo/dhe private të gjuetisë në Kosovë.

Për: Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Parqet Kombëtare, “Sharri” dhe “Bjeshkët e Nemuna”, institucionet dhe shoqatat (publike/private) të gjuetisë dhe Komunat e Republikës së Kosovës.

Përmes kësaj shkrese, ne, organizatat e poshtëshënuara me mision të mbrojtjes të të drejtave të kafshëve në Kosovë, paraqesim vërejtjet dhe kërkesat tona për një monitorim më të mirëfilltë të gjuetarëve të Republikës së Kosovës dhe siguri më të lartë në gjueti, konkretisht nga të gjitha institucionet apo shoqatat e gjuetisë në tërë vendin.

Çdo vërejtje, rekomandim dhe mendim i paraqitur në këtë dokument, rrjedh nga eksperienca jonë profesionale në fushën e mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të kafshëve, dhe bazohet në legjislacionin në fuqi, përkatësisht në:

  • Kushtetuta e Republikës së Kosovës
  • Kodin Penal dhe Civil i Republikës së Kosovës;
  • Ligjin Nr. 02/L-10 Për përkujdesjen ndaj kafshëve
  • Ligjin Nr. 02/L-53 – Për gjuetinë

Duke qenë dëshmitarë të situatës së rëndë sa i përket mirëqenies së kafshëve në Kosovë dhe zbatimit të dobët të legjislacionit primar dhe sekondar që rregullojnë fushën e mbrojtës dhe promovimit të të drejtave të kafshëve, jemi aktivisht duke bashkëpunuar me institucionet publike dhe private përgjegjëse, që të gjitha veprat abuzuese dhe të jashtëligjshme në Kosovë të identifikohen, paraqiten në polici apo tek organet e drejtësisë, apo edhe të parandalohen. Duke u nisur nga kjo përvojë profesionale dhe nga disa aktivitete në rrjetet sociale, kemi vërejtur që në Kosovë, aktivitet që kanë si subjekt keqtrajtimin e kafshëve, janë të shumta dhe të publikuara me guxim nga shumë individë. Kjo vjen si rezultat i heshtjes institucionale apo të organeve ekzekutive që t’i ndëshkojnë kryesit e veprave në fjalë.

Nga publikimi i fundit, i dyshimit të vrasjes së një Rrëqebulli në rajonin e Ferizajit, mund të vijmë në përfundim që të gjitha institucionet dhe organizatat që janë të themeluara mbi aktivitete të gjuetisë, duhet të marrin masa serioze dhe profesionale drejt problemeve qe po zbulohen, sa i përket vrasjeve të jashtëligjshme të faunës së egër në të gjitha bjeshkët dhe malet e Kosovës; – po ashtu në Parqet Kombëtare “Bjeshkët e Nemuna” dhe “Bjeshkët Sharri”.

Tanimë, për rastin e Rrëqebullit, shoqata e gjuetarëve “Shqiponja” në Ferizaj, ka thënë për portalin Koha.net, se kafsha e vrarë nga një anëtar i tyre nuk është rrëqebull (më vonë e vërtetuar si Mace e Egër/ Felis silvestris). Në një aspekt është shqetësuese fakti që një kafshë e egër është vrarë, sepse disa nga ato janë edhe specie në zhdukje, edhe në Kosovë; – por çfarë na shqetëson më shumë, është që gjuetarët e Kosovës, duke e ditur që speciet e egra në natyrë, janë të mbrojtura me ligj (aq edhe më shumë kur nuk ka thirrje formale të hapjes së sezones për gjueti) i vrasin ato pa asnjë lloj përgjegjësie dhe ndërgjegje dhe i postojnë ato në mënyrë mizore në rrejtët sociale, madje atë me shumë mburrje.

Fauna është pasuri dhe trashëgimi kulturore e një vendi, e cila duhet medoemos të pasohet tek gjeneratat e reja, në mënyrën më të ruajtur të mundshme. Natyra dhe fauna janë të mbrojtura edhe me aktin më të lartë juridik, që është Kushtetuta e Republikës së Kosovës, andaj, i bëjmë të gjithë hisedarëve thirrje, që të ndërmarrin masa vetëdijesuese për qytetarët dhe gjuetarët e Kosovës sa i përket mirëqenies dhe të drejtave të kafshëve të egra në vend. Po ashtu, t’i identifikojnë personat që bëjnë gjueti të jashtëligjshme dhe t’i paraqesin ata tek organet kompetente policore apo të drejtësisë.

Për më tepër, kërkojmë nga institucionet, organizatat dhe komunat e Republikës së Kosovës:

  1. Të jenë më vigjilent dhe të komunikojnë hapjen dhe mbylljen e sezones për gjueti në media, radio, shtyp dhe rrjete sociale.
  2. Të bëjnë urdhëresa apo vendime formale nga të gjitha Komunat e Kosovës, që të parandalojnë gjuetinë jashtëligjore.
  3. Të bëjnë publike planet e tyre strategjike dhe planet e tyre të veprimit sa i përket mbrojtës së faunës së egër dhe habitatit të tyre.
  4. Të bashkëpunojnë më shumë me organizatat e shoqërisë civile për mbrojtën e të drejtave dhe mirëqenies së kafshëve.
  5. Të iniciohen procedurat e duhura ligjore nga organet kompetente, përkitazi me ligjet në fuqi, ndaj individëve që bëjnë gjueti të jashtëligjshme.

Si përfundim, të rikujtojmë që në vendet e zhvilluara, (përveç që disa kanë ndaluar ligjërisht gjuetinë, p.sh.: Gjeneva, në Zvicër) ka një kohë të gjatë që gjuetia nuk bëhet më për qëllime rekreative apo sport, por për qëllime të stabilitetit të ekosistemit në një habitat të caktuar natyror. Që do të thotë, në rast të rritjes së papritur të ndonjë kafshe specifike që do mund të shkaktonte destabilizim të jetesës normale për një specie tjetër.

Ne qëndrojmë në dispozicionin tuaj për dhënien e ekspertizës dhe ndihmës sonë në çdo punë/aktivitete të nevojshme, të cila përkasin fushës së mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të kafshëve.

Me shumë mirësjellje presim një përgjigje (apo edhe takim), që të diskutojmë çdo hap të nevojshëm në këtë aspekt, sepse, gjuetia e jashtëligjshme, duhet të ndalohet urgjentisht!

Ju falënderojmë paraprakisht!

Sinqerisht,
Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve dhe Të Bashkuar për Kafshët