Më 27 Nëntor 2020, me iniciativën tonë, së bashku me inspektorin veterinar të Komunës së Prizrenit, ishim në vizita inspektuese në tri lokacione në këtë qytet, ku ishte raportuar nga dashamirësit e Prizrenit se qentë po mbaheshin në kushte jo të mira.
Në dy prej këtyre lokacioneve, kemi gjetur qen të mbajtur në kushte aspak të mira, prandaj në pajtim me ligjin, inspektori veterinar i Komunës së Prizrenit, në raportin e këtyre vizitave, ka potencuar vërejtjet rreth kushtet së mbajtjes së qenve, dhe ka kërkuar nga mbajtësit (pronarët) që në një afat kohor prej 1 jave, të plotësohen kushtet për qentë, e që janë: sigurimi i një hapësire shumë më të mirë për qentë brenda oborrit/shtëpive, strehim më të mirë, vaksinimi i qenve, dhe sterilizimi i tyre. Nëse brenda 1 jave këto kushte nuk plotësohen, qentë do duhej të konfiskohen në pajtim me ligjin. Për t’i konfiskuar ne, duhet të gjejmë strehim për ta (të cilin nuk e kemi dhe shteti nuk ndihmon në këte aspekt) dhe kemi nevojë për ndihmën e juaj. Shumë shpeshë kafshët mbesin me pronarët të cilët nuk kanë kujdes aspak ndaj kafshëve të tyre. Ne nuk mund të shpëtojmë kafshë nëse nuk bashkëpunojmë për strehimin e tyre, në rast se mbajtësit e kafshëve në fjalë nuk i përmirësojnë kushtet. Është e rëndësishme të thuhet se shumica e qenve (dhe kafshëve në përgjithësi) në Kosovë mbahen kështu. Mjafton të shkohet ne cilindo lagje të Prishtinës dhe në cilindo fshat të Kosovës, për të parë qen të lidhur në zinxhir dhe duket jetuar në kushte të tmerrshme.
Mbajtja e qenve në kushte shumë të këqija, është e papranueshme. Përveç që është e ndaluar edhe me ligj, abuzimi me kafshë duke i neglizhuar skajshëm është edhe përtej çdo kufiri të etikës dhe humanitetit. Kushdo që nuk mund t’ia plotësojë një kafshës as kushtet më minimale, nuk duhet t’i lejohet të mbajë kafshë.
I falenderojmë aktivistët që na kanë lajmëruar për rastet e mbajtjes së keqe të qenve, dhe poashtu ju bëjmë thirrje edhe të tjerëve që të lajmërojnë rastet e keqtrajtimit të kafshëve nga mbajtës (pronarë) të papërgjegjshëm, direkt në inspektoriat veterinar apo në polici.
Shumë shpesh na kërkohet neve që të merremi me rastet e tilla, por për ne është e pamundur që të merremi me të gjitha rastet në Kosovë.
Kushdo që interesohet të ndihmojë në inspektime, ju lus të na kontaktoni në info@animalrights-rks.org